Drejtori sportiv i Leipzig, Oliver Mintzlaff, ka thënë se sulmuesi Christopher Nkunku pritet të jetë pjesë e skuadrës dhe pas merkatos së verës. Lojtari është kthyer në një nga emrat më të kërkuar në arenën europiane, falë paraqitjeve mjaft të mira në Bundesligë. Mintzlaff u shpreh për Sky90:
“Ai do të luajë me ne dhe sezonin e ardhshëm, pasi është një lojtar shumë i rëndësishëm. Në futboll asgjë nuk është e sigurt, por ky është plani jonë.”
Nkunku ka një kontratë aktive me klubin deri në vitin 2024. Deri më tani, ai ka shënuar 18 gola në 30 paraqitje në të gjitha kompeticionet, gjatë këtij sezoni. Ai erdhi në Gjermani nga francezët e Paris St. Germain, ku nuk mund të gjente hapësirat e duhura për t’u aktivizuar rregullisht.
Duket se në krahasim me vitet e kaluara, drejtuesit e Leipzig kanë vendosur që të mos shesin talentet e tyre tek ekipet rivale, dhe specifikisht Bayern Munich. Këtë gjë Oliver Mintzlaff e nënvizoi dhe për lojtarë të tjerë. Drejtori i klubit gjerman tha:
“Kuptohet se lojtarë si Dani Olmo, Nkunku apo Andre Silva janë futbollistë mjaft të rëndësishëm që duhet të vazhdojnë të zhvillohen me ne. Kemi bërë kaq shumë marrëveshje me Bayern dhe i kemi shitur Julian Nagelsmann për shumë pak.”
Vitin e kaluar, Dayot Upamecano, Marcel Sabitzer dhe trajneri Nagelsmann u transferuan të gjithë nga Leipzig drejt Bayern Munich. Të tilla lëvizje kanë qënë gjithmonë praktikë e bavarezëve të cilët jo vetëm forcojnë ekipin e tyre, por dhe i shkaktojnë dëme direkte kundërshtarit.
Megjithëse së fundmi, ishin bavarezët që hoqën dorë nga një lojtar i tyre, për t’ia ofruar atë rivalëve të Borussia Dortmund. Bëhet fjalë për Niklas Süle, i cili do të largohet nga klubi në fund të këtij sezoni me kosto zero. Lojtari ka firmosur një kontratë 4 vjeçare me Dortmund.