Declan Rice preferon një lëvizje drejt Chelsea, në vend të një transferimi tek Manchester United. Kjo, pavarësisht pasigurisë që ka kapluar blutë e Londrës pas largimit të Roman Abramovich nga presidenca e Stamford Bridge.
West Ham, që është klubi aktual ku aktivizohet mesfushori, ende insiston se lojtari i përfaqësueses angleze nuk është në shitje. Për të shmangur interesin e ekipeve rivale, drejtuesit e klubit kanë vendosur një çmim prej 150 milionë paundësh për këdo që kërkon shërbimet e tij. Rice ndërkohë nuk ka shprehur asnjëherë në mënyrë direkte dëshirën për t’u larguar nga klubi, pavarësisht aludimeve të mediave. Megjithatë, ai ka qënë në qëndër të vëmëndjes së shumë klubeve, mes tyre dhe Manchester United.
Afrimi i Declan Rice është i rëndësishëm për “Djajtë e Kuq”, duke marrë parasysh se Paul Pogba sipas të gjitha gjasave do të largohet në fund të sezonit. Roli i francezit në mesfushë është mjaft i rëndësishëm për të besuarit e Ralf Rangnick, dhe zëvëndësuesi i Pogba duhet të jetë një lojtar i të njejtit kalibër.
Ndërkohë, raportimet e fundit në Angli bëjnë me dije se Rice do të preferonte një lëvizje drejt Chelsea, nëse do të linte West Ham. Por ky do të ishte një operacion i komplikuar duke parë problemet e fundit të bluve.
Pas sanksioneve të vendosura ndaj londinezëve, klubi nuk mund të blejë më lojtarë të rinj. Kjo pritet të vazhdojë deri në shitjen e ekipit tek pronarët e rinj. Por edhe pas këtij hapi situata do të jetë e turbullt, teksa askush nuk mund të flasë me siguri për vizionin që drejtuesit e Chelsea do të kenë për të ardhmen. Klubi mund të operojë me të ardhura të kufizuara, gjë që do ta bënte mjaft të vështirë sigurimin e fondeve për kartonin e një lojtari si Rice.