Bayern Munich dhe Borussia Dortmund janë klubet e tjera që i janë shtuar listë së të interesuarëve për talentin shqiptar të Chelsea, Armando Broja. Sulmuesi momentalisht luan për Southampton si i huazuar, dhe ka zhvilluar paraqitje shumë të mira të cilat kanë kapur vëmendjen e shumë klubeve europiane.
Goli i javës së kaluar në fitoren 3-2 ndaj Tottenham ishte i gjashti në Premier League për këtë sezon dhe i teti në të gjitha kompeticionet për Brojën. Trajneri i Southampton, Ralph Hasenhuttl, do të donte që lojtari të ishte pjesë e klubit për një tjetër sezon, ose të nënshkruante një kontratë permanente me skuadrën. Por me paraqitjet e tij fantastike, kjo gjë duket gjithnjë e më e vështirë.
Përpara se t’i bashkohej Southampton si i huazuar, Chelsea i ofroi Brojës një kontratë të re 5 vjeçare të cilën shqiptari e pranoi. Nga ajo që bëjnë me dije mediat angleze, lojtari është ende pjesë e planeve të trajnerit Tuchel, i cili mund të refuzojë ofertat potenciale për Brojën.
Një tjetër ekip që është linkuar së fundmi me emrin e Armando Brojës është dhe Arsenal. “Topçinjtë” janë në kërkim të një sulmuesi pas largimit të Aubameyang dhe potencialisht dhe lojtarëve të tjerë në këtë repart. Por edhe nëse Chelsea vendos që të heqë dorë nga shërbimet e Brojës, blutë nuk do t’ia shesin lojtarin rivalëve të tyre. Gjithsesi kjo nuk do të ndalë Arsenal për të bërë një ofertë zyrtare.
Legjenda e klubit, Martin Keown, komplimentoi Brojën duke vënë në pah aftësitë e tij mbresëlënëse. Keown tha:
“Ai duhet duartrokitur. Shpejtësia që ka është fantastike. Broja vërtet ka impresionuar me paraqitjet e tij me Southampton. Ai i ka të gjitha, mund të shikosh sesi fiton duelet me Maguire, është shumë i shpejtë dhe i vështirë për t’u përballur nga kundërshtarët.”