Inter Milan është gati të heqë dorë me kosto zero, nga kartoni i Alexis Sanchez. Italianët i kanë ofruar sulmuesin skuadrës së Everton në Angli. Trajneri i këtyre të fundit, Rafa Benitez, është i ndërgjegjshëm se mund të humbasë shumë lehtë shërbimet e Dominic Calvert-Lewin apo brazilianit Richarlison. Për këtë arsye, afrimi i një sulmuesi, mbetet një nga objektivat kryesore të “Toffees”.
Benitez po lufton fort që të mos humbasë asnjë nga lojtarët e tij aktualë, por nëse kjo ndodh, Sanchez është një nga emrat potencialë për t’u bërë pjesë e sulmit të Everton. Një emër tjetër është Valentin ‘Taty’ Castellanos, sulmuesi argjentinas i New York City, i cili u shpall golashënuesi më i mirë gjatë sezonit të kaluar në MLS.
Afrimi i ish-sulmuesit të Arsenal dhe Manchester United mund të konsiderohet një lëvizje me risk për Everton. Kjo pasi Sanchez ka kohë që nuk është më në nivelin e tij të mëparshëm si futbollist. 33 vjeçari pritej të kthehej në pikën kyç të sulmit të “Djajëve të Kuq”, pas transferimit nga Arsenal, por kjo gjë nuk ndodhi. Kiliani realizoi vetëm 5 gola në 45 paraqitje me United, përpara se të transferohej në Itali tek Inter. Përpara kësaj, paraqitjet e tij me Arsenal ishin mbresëlënëse. Alexis ia doli të shënonte 80 gola në 166 takime me “topçinjtë”.
Aventura në Itali gjithashtu nuk ka qënë në nivelin e pritur nga kiliani. Lojtari ka shënuar vetëm 14 gola në 86 paraqitje me Inter.
Ndërkohë nga ana tjetër, Castellanos është i disponueshëm për shifrën e 14 milionë paundëve. Sulmuesi ka një kontratë aktive deri në vitin 2025 me New York City, por Everton i ka të gjitha mundësitë për të paguar klauzolën për prishjen e kontratës. Argjentinasi shënoi plot 23 gola sezonin e kaluar, duke u kthyer në një nga figurat më të përfolura të MLS.