Liverpool po kërkon të përforcojë mesfushën për sezonin e ardhshëm, dhe objektivi kryesor i “The Reds” për momentin, është Aurelien Tchouameni. Lojtari i Monaco shikohet me adhurim nga trajneri Klopp, i cili rinovoi me Liverpool deri në vitin 2026. Ky ishte një zhvillim i papritur, duke marrë parasysh planin fillestar të teknikut gjerman, i cili do të largohej në vitin 2024.
Por duke qënë se Klopp do të jetë dhe për disa sezone në drejtimin e Liverpool, ai ka nisur që tani të mendojë për të ardhmen e klubit. Këtu hyn në lojë interesimi për Tchouameni, i cili shihet si pasuesi i Mane apo Henderson tek “The Reds”. Megjithatë, konkurrenca për kartonin e tij pritet të jetë mjaft e fortë. Real Madrid gjithashtu interesohet për talentin e Monaco dhe madrilenët janë momentalisht favoritë për të sjellë lojtarin në Santiago Bernabeu.
Megjithatë, Klopp e ka një plan rezervë. Bëhet fjalë për 18 vjeçarin e Aberdeen, Calvin Ramsay. Për këtë të fundit interesohet dhe Leeds, por kuptohet se nëse futbollisti vendoset përballë një zgjedhjeje të tillë, “The Reds” janë një alternativë shumë më interesante. Disavantazhi i vetëm është se hapësirat për të në ekipin e Klopp mund të jenë të kufizuara.
Nevoja për të përforcuar mesfushën lidhet dhe me largimin e mundshëm të Alex Oxlade-Chamberlain. Këtij të fundit i skadon kontrata në verë dhe ende nuk ka asnjë shenjë se lojtari mund të rinovojë. Tchouameni ndërkohë është mjaft i kërkuar në Europë dhe kartoni i tij vlerësohet në shifrat e 33.5 milionë paundë. Mesfushori është aktivizuar 8 herë me kombëtaren franceze, ndërsa iu bashkua Monaco nga skuadra e Lille.
Ndërkohë, Liverpool ka arritur një marrëveshje me talentin e Fulham, Fabio Carvalho i cili do t’i bashkohet klubit në verë për shumën e 5 milionë paundëve.