Manchester United vazhdon të jetë i interesuar për shërbimet e mbrojtësit gjerman të Chelsea, Antonio Rudiger. Këtij të fundit i skadon kontrata në fund të sezonit dhe “Djajtë e Kuq” mund të përfitojnë kartonin e tij me kosto zero. Por konkurrenca është e lartë për Rudiger, me Real Madrid, Paris Saint Germain dhe Newcastle që gjithashtu kërkojnë shërbimet e lojtarit.
Juventus është gjithashtu i interesuar për të sjellë Rudiger përsëri në Serie A. Gjermani ka luajtur më parë për Romën, përpara se të vishte fanellën e Chelsea në 2017-ën. United mbetet një nga ekipet favorite në garën për kartonin e Rudiger, teksa trajneri Rangnick ia ka komunikuar qartë drejtuesëve të klubit, nevojën për përforcime në qëndër të mbrojtjes. Tekniku e sheh Rudiger si objektivin numër 1 të United në merkaton e ardhshme. Avantazh i “Djajëve të Kuq” është fakti se Rangnick ka një marrëdhënie të mirë me agjentin e lojtarit.
Por ajo që dihet me siguri është se në fund të sezonit, një trajner i ri do të vijë në krye të pankinës në Old Trafford. Kjo gjë do të ndikojë drejtpërdrejt dhe tek planet e Rudiger, i cili është në kërkim të një projekti fitues në aventurën e tij të rradhës. Raportime të tjera bëjnë me dije se mbrojtësi është vazhdimisht në bisedime me Real Madrid dhe PSG për të gjetur akordin mbi një marrëveshje.
Ndërsa përsa i përket interesimit të Newcastle, pronarët e pasur të klubit anglez duket se janë të gatshëm të konkurrojnë fort në terma financiarë, me ekipet “big” që kërkojnë Rudiger. Pas ardhjes në krye të stolit të Eddie Howe, Newcastle pritet të kalojë një revolucion të vërtetë në fund të sezonit, me shumicën e lojtarëve që pritet të lënë klubin. Ky do të jetë një kapitull i ri për ekipin, dhe një mundësi joshëse për Rudiger.