Drejtuesit e Chelsea duket se nuk kanë ndërmend të ndalen këtë merkato janari. Pas afrimit të Joao Felix, dhe arritjes së marrëveshjes me Mykhaylo Mudryk, blutë e Londrës i kanë hedhur tashmë sytë tek anësori i PSV Eindhoven, Noni Madueke. Sipas burimeve të ESPN mësohet se Chelsea ka bërë një ofertë zyrtare prej 30 milionë eurosh për kartonin e lojtarit.
Anglezët shprehën interesimin e tyre para një jave për Madueke, por u përballën me refuzimin e PSV, teksa hollandezët nuk duan të humbasin sulmuesin e talentuar. Gjithsesi, drejtuesit e PSV nuk ndaluan Chelsea që të bëjë një ofertë zyrtare për kartonin e lojtarit. Trajneri i PSV, Ruud van Nistelrooy, u shpreh se dëshiron që Noni të qëndrojë në klub, sidomos pas largimit të Gakpo drejt Liverpool. Megjithatë, tekniku nuk e përjashtoi mundësinë e transferimit. Van Nistelrooy u shpreh:
“E di se ka interesim për Noni. Do doja të mos kishte, por këtë gjë nuk e vendos unë. Fakti që ka shumë interes për të lidhet me kualitetin dhe performancat e tij. Por kjo më shqetëson, pasi duhet të shohim nëse do të jemi në gjendje ta mbajmë. Shpresoj shumë…”
Trajneri hollandez shtoi:
“Padyshim që do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbajtur këtu. Por dihet se gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt nëse interesi rritet. Si klub duhet të jesh gati dhe të kesh një zëvëndësues në rradhë, pasi nëse ai largohet, do të thotë se do të humbasim një tjetër lojtar këtë dimër…Si trajner dëshiron gjithmonë që të mbash lojtarët më të mirë në ekip, kjo është e qartë. Por ka situata të caktuara si ajo e Cody, ku një klub vjen me një ofertë specifike. Në atë moment mund të mos jetë më e mundur të ndalosh transferimin. Shpresoj që mos të jetë ky rasti kësaj rradhe, por nuk mund ta përjashtoj.”