Georginio Wijnaldum iu bashkua Paris Saint-Germain gjatë merkatos së verës nga anglezët e Liverpool. Por mesfushori hollandez mund të largohet shumë shpejt nga parizienët. Sipas raportimeve të fundit, lojtari është linkuar me një transferim të mundshëm tek Aston Villa, dhe PSG duket e gatshme të pranojë oferta nga anglezët.
Në tetorin e kaluar, Wijnaldum u shpreh se nuk ishte “totalisht i lumtur” me mundësitë që kishte gjetur në Francë. Hapësirat janë të kufizuara në ekipin e Mauricio Pochettino dhe kjo mendohet të jetë arsyeja kryesore se përse hollandezi gjithashtu mund të konsiderojë largimin.
Ndërkohë, për kartonin e tij është interesuar në mënyrë konkrete Aston Villa. Trajneri Steven Gerrard beson fort te aftësitë e 31 vjeçarit. Ish-lojtari i Liverpool debutoi për herë të parë në Premier League me skuadrën e Newcastle në vitin 2015, pas transferimit nga PSV Eindhoven. Me uniformën e “The Reds”, Wijnaldum zhvilloi plot 237 paraqitje, duke fituar Champions League-ën dhe Premier League.
Por sa është i mundur operacioni në terma finaciarë? Sipas prestigjozes Sport, PSG kërkon 21 milionë paundë për kartonin e Wijnaldum. Kjo është një shifër e përballueshme për Villa, nëse trajneri Gerrard jep aprovimin përfundimtar për lëvizjen.
Nëse transferimi realizohet, Wijnaldum do të luajë së bashku me Philippe Coutinho, një tjetër ish-lojtar i Liverpool që tashmë mban veshur fanellën e Aston Villa. Braziliani luan si i huazuar nga Barcelona, pas 4 vitesh të vështira në Camp Nou. Nën drejtimin e Gerrard, Coutinho ka rigjetur përsëri formën e tij më të mirë, me 3 gola dhe 3 asiste në 7 ndeshje në kampionat.
Por përveç Liverpool, Atletico Madrid është gjithashtu e interesuar për shërbimet e Wijnaldum. Spanjollët kanë nevojë për përforcime në repartin e mesfushës dhe hollandezi është një nga opsionet. Megjithatë, besohet se lojtari parapëlqen një rikthim në Premier League, duke qënë se është më i familjarizuar me futbollin në ishull.