Drejtuesit e West Ham janë të interesuar për huazimin e mbrojtësit të Manchester United, Harry Maguire. Anglezi e ka humbur vendin e titullarit në formacionin bazë të trajnerit Ten Hag, dhe pritet që drejtuesit e United të shqyrtojnë seriozisht interesimin e West Ham. Këta të fundit kanë nevojë për opsione në prapavijë, teksa Craig Dawson ka tërhequr vëmendjen e Wolves dhe mund të largohet.
West Ham e sheh Harry Maguire si zëvëndësuesin perfekt të Dawson, duke marrë parasysh eksperiencën që mbrojtësi ka në Premier League. Gjithsesi, vlera e kartonit të anglezit pritet të jetë problemi kryesor nëse bisedimet fillojnë.
Maguire zbarkoi në Old Trafford nga Leicester City në vitin 2019. United pagoi plot 80 milionë paundë për shërbimet e lojtarit, lëvizje që në atë kohë e bëri atë mbrojtësin më të shtrenjtë në historinë e futbollit. Megjithatë, forma e tij gjatë sezoneve të kaluara ka qënë me luhatje dhe “Djajtë e Kuq” do ta kenë tejet të vështirë për të pretenduar të njejtën vlerë për kartonin e tij.
Në një farë mënyre, një huazim te West Ham do t’i jepte mundësinë mbrojtësit për të provuar dhe një herë tjetër vlerat e tij, duke qënë se sipas të gjitha gjasave do të aktivizohet si titullar. Anglezi ka luajtur në vetëm 1 nga 4 ndeshjet e fundit të United, që prej përfundimit të botërorit në Katar.
Ten Hag preferon më shumë dyshen Varane dhe Lisandro Martinez në prapavijë, me anglezin Luke Shaw në ndihmë të të dyve. Mbrojtja e ekipit zhvilloi një paraqitje fantastike në fitoren ndaj Manchester City, që konsolidoi vendin e United në katërshen kryesuese të Premier League.
Mediat angleze raportojnë se drejtuesit e klubit janë të gatshëm të shesin Maguire në merkaton e verës, pavarësisht nëse arrihet apo jo një marrëveshje huazimi me West Ham në janar. Vendimi përkon dhe me planin e trajnerit Ten Hag, i cili kërkon të ngrejë modulin e tij të lojës në Old Trafford.