Mediat angleze kanë raportuar së fundmi se Paris Saint-Germain është duke monitoruar yllin e Aston Villa, Jhon Duran. Kolumbiani ka tërhequr vëmendjen e disa ekipeve, duke përfshirë këtu përveç PSG, dhe West Ham e Chelsea. Drejtuesit e Aston Villa janë të gatshëm të heqin dorë prej sulmuesit për shifrën e 60 milionë paundëve. Duran ka shënuar deri më tani 11 gola këtë sezon në të gjitha kompeticionet, duke përfshirë këtu gola mjaft të rëndësishëm që i kanë dhuruar Aston Villa fitoren.
Nëse Duran i bashkohet Paris Saint-Germain, ai do të luajë në sulm përkrah emrave si Bradley Barcola, Ousmane Dembele dhe Lee Kang-In. Francezët ndodhen si zakonisht në një pozitë të mirë në Ligue 1, teksa kryesojnë kampionatin me 7 pikë diferencë nga ndjekësit më të afërt të Marseille. Sipas të gjitha gjasave, nëse Duran do t’i bashkohet PSG në janar, ai do të ngrejë lart trofeun e Ligue 1 në fund të sezonit. Megjithatë, një lëvizje në merkaton e dimrit ka pak gjasa të ndodhë.
Gjithsesi, Aston Villa duket se do të hidhet vet në sulm në merkaton e janarit, për t’i paraprirë një situate të vështirë. Drejtuesit e klubit anglez janë duke monitoruar sulmuesin e Borussia Dortmund, Donyell Malen. Sipas burimeve pranë klubit, Villa dhe Malen kanë arritur të gjejnë dakordësinë për termat personalë të kontratës. Tani, anglezët duhet të gjejnë akordin financiar me Borussia Dortmund, për të bërë të mundur transferimin. Drejtuesit e Villa kanë ofruar 15 milionë paundë në të kaluarën për shërbimet e Malen, por kjo ofertë është refuzuar nga drejtuesit e klubit gjerman.
Në të njejtën kohë, Aston Villa po kërkon të përforcojë dhe repartin e mbrojtjes. Trajneri Emery kërkon më shumë opsione dhe klubi është duke eksploruar mundësinë e transferimit të Oscar Mingueza nga Celta Vigo. Mbetet të shohim se cilat do të jenë lëvizjet e Villa këtë merkato.