Arsenal duket se e ka bërë të qartë se portieri Ramsdale do të largohet në fund të sezonit nga Emirates. Trajneri Arteta e ka bërë tashmë zgjedhjen e tij, dhe Raya është titullari i ri tek klubi londinez. Paraqitja e fundit e Ramsdale në ndeshjen ndaj Brentford duket se ka bindur përfundimisht drejtuesit e Arsenal për të lënë të lirë portierin anglez në fund të këtij sezoni.
Në sfidën ndaj Brentford, Raya nuk mund të luante në portë ndaj ish-klubit të tij të vjetër, për shkak të kushteve në kontratën e tij me Arsenal. Kjo i dha Ramsdale një mundësi për të bindur trajenrin Arteta për kualitetin e tij, por gjërat nuk shkuan mirë për lojtarin. Pavarësisht se Arsenal e fitoi sfidën pa pësuar gol, Ramsdale bëri disa gabime të rënda në fushën e blertë që mund t’i kishin kushtuar shtrenjtë ekipit të tij.
Vet portieri e ka kuptuar tashmë se nuk mund të luajë futboll regullisht tek Arsenal, dhe Ramsdale gjithashtu kërkon të largohet. Aaron është i gatshëm të shkëputet që në merkaton e janarit, në formë përfundimtare, ose si i huazuar tek një ekip tjetër. Megjithatë, drejtuesit e Arsenal nuk janë të gatshëm të heqin dorë prej tij në mes të sezonit. Arsyeja kryesore është fakti se klubi ende nuk ka një zëvëndësues të denjë për numrin 2 të portës.
Ndërkohë përsa i përket interesit për kartonin e Ramsdale, ka disa ekipe në Premier League që mund të hidhen zyrtarisht në garë për portierin e Arsenal. Wolves është duke monitoruar situatën, teksa portieri i tyre, Jose Sa, po përflitet për një kalim të mundshëm në Arabinë Saudite. Bournemouth dhe Sheffield United gjithashtu mund të bëjnë një ofertë për Ramsdale nëse ky i fundit ndahet përfundimisht nga Arsenal. Në fund të sezonit, Chelsea gjithashtu pritet të përfshijë anglezin në listën e objektivave kryesorë përsa i përket portës.