Arsenal duket se është përfshirë në garën për kartonin e Mikel Merino. Spanjolli i talentuar aktivizohet me Real Sociedad në La Liga, por duket se starti i sezonit mund ta gjejë atë në një klub të ri. Përveç Arsenal, Aston Villa gjithashtu është e interesuar për mesfushorin, i cili sapo u kurorëzua kampion Europe me kombëtaren e tij. Spanja arriti të mposhtë Anglinë me rezultatin 2-1 në Berlin, duke siguruar një tjetër trofe në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë përsa i përket interesit të Arsenal për Merino, klubi londinez pritet t’i ofrojë mesfushorit një kontratë mjaft tërheqëse nga ana financiare. Sipas prestigjozes El Mundo Deportivo, “The Gunners” janë favoritë për të siguruar shërbimet e Merino.
Mikel Arteta është në kërkim të një mesfushori qëndror të talentuar, që i ofron Arsenal më shumë mundësi në prag të sezonit të ri. Merino ka impresionuar me paraqitjet e tij me Real Sociedad sezonin që lamë pas. Lojtari u aktivizua gjithsej në 45 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke arritur të shënojë 8 gola si dhe 5 asiste. Spanjolli ka më pak se 1 vit në kontratën e tij aktuale me Sociedad dhe klubi dëshiron që ta shesë, për të mos e humbur atë me kosto zero. Sociedad i ka ofruar Merino një kontratë të re prej kohësh, por lojtari e ka refuzuar dhe duket se e ka marrë tashmë vendimin për t’u larguar nga klubi.
Nga ana tjetër, Aston Villa mund të tërhiqet nga gara për Merino, duke marrë parasysh dhe afrimin e Amadou Onana në ekip. Lojtari aktivizohet në të njejtin pozicion me Merino, dhe duke marrë parasysh dhe presionin nga Arsenal, Villa mund të heqë dorë nga mesfushori spanjoll. Gjithsesi, për momentin asgjë nuk është finalizuar dhe më shumë detaje do të zbulohen javën e ardhshme.