Drejtuesit e Arsenal janë duke monitoruar mesfushorin e talentuar të Real Sociedad, Martin Zubimendi. Klubi londinez beson se lojtari do të jetë i prirur t’i bashkohet Arsenal në merkaton e verës, pavarësisht faktit se mesfushori ishte shumë afër transferimit tek Liverpool në startin e këtij sezoni. Transferimi tek Liverpool dështoi, pasi vet Zubimendi vendosi të qëndrojë dhe për 1 sezon në Spanjë. Robin Le Normand dhe Mikel Merino u larguan nga Sociedad këtë sezon, dhe klubi nuk donte të humbiste një tjetër lojtar të rëndësishëm si Zubimendi.
Arsenal është tashmë në një pozicion të favorizuar për të siguruar firmën e lojtarit. Klubi anglez ka një marrëdhënie të mirë me Real Sociedad për shkak të akordit për kartonin e Mikel Merino, si dhe faktit që trajneri Mikel Arteta ka luajtur si lojtar me klubin bask. Një tjetër faktor që favorizon Arsenal në garën për të siguruar shërbimet e Zubimendi është suksesi i trajnerit Arne Slot me Liverpool. Duket se trajneri hollandez ka arritur të ngrejë një mesfushë të suksesshme rreth Ryan Gravenberch dhe nevoja për Zubimendi nuk është më e njejta si në startin e këtij sezoni.
Spanjolli aktivizohet në rolin e numrit 6, një pozicion mjaft i kërkuar në ditët e sotme dhe futbollin modern. Trajneri Arteta kërkon të ketë disa opsione përsa i përket mesfushës, mes tyre: pasues të mirëfillitë, por dhe lojtarë të cilët janë të fortë fizikisht dhe mund t’i bëjnë ballë presingut kundërshtar. Me Declan Rice dhe Martin Odegard në ekip, Zubimendi do të ishte lojtari perfekt për të kompletuar mesfushën e Arsenal, që sezonet e fundit kërkon të hedhë hapin e madh drejt triumfit në Premier League.
Ndërkohë, Manchester City gjithashtu thuhet se është duke monitoruar Martin Zubimendi, por për momentin, “qytetarët” kanë prioritete të tjera në merkaton e verës.