Drejtuesit e Arsenal po monitorojnë nga afër situatën e Dusan Vlahovic tek Juventus, teksa bisedimet mes sulmuesit serb dhe klubit italian për rinovimin e kontratës nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Arsenal ka ndjekur prej kohësh Vlahovic, dhe ky i fundit është një nga emrat në listën e klubit londinez, për afrimet e reja në merkaton e ardhshme të verës. Mediat angleze kanë raportuar se në këtë listë bëjnë pjesë dhe Benjamin Sesko, Viktor Gyokeres, Alexander Isak, Jonathan David dhe Marcus Thuram.
Përsa i përket Vlahovic, kontrata aktuale e lojtarit me Juventus skadon në vitin 2026. Tek Arsenal janë të besimit se nëse serbi nuk rinovon deri në fund të sezonit, ata mund të sigurojë kartonin e tij për një shifër mjaft të mirë. Kjo pasi Juventus mund të jetë i detyruar të shesë Vlahovic, për të mos humbur një nga asetet më të mira të klubit me kosto zero. Drejtuesit e Arsenal besojnë se mund të sigurojnë shërbimet e Vlahovic për më pak se 60 milionë euro, në rast se bomberi serb nuk vendos të rinovojë.
Ekipi i Mikel Arteta ka qartësisht nevojë për më shumë fuqi sulmuese, teksa Kai Havertz po luan jo në pozicionin e tij natyral, ndërkohë që Gabriel Jesus ka shfaqur vazhdimisht probleme me dëmtimet. Në lidhje me afrimin potencial të Vlahovic, shumë tifozë të Arsenal kanë shprehur skepticizmin e tyre në rrjetet sociale, duke nënvizuar faktin se serbi nuk ka shfaqur më të mirën e tij në mënyrë konsistente, që prej transferimit të tij tek Juventus nga Fiorentina.
Lojtari mund të përshtatet më mirë në sistemin e trajnerit Mikel Arteta, i cili njihet për rigjallërimin e karrierës së lojtarëve. Megjithatë, për shumë fansa të Arsenal, Sesko, Isak apo Gyokeres janë opsione më të mira për repartin e sulmit.