Drejtuesit e Chelsea i kanë shprehur Newcastle dëshirën për të afruar në ekip Alexander Isak. Mes 2 klubeve janë zhvilluar bisedime dhe blutë e Londrës janë treguar të vendosur për të sjellë sulmuesin suedez në Stamford Bridge. Megjithatë, problemi kryesor i Chelsea do të jetë vlera e kartonit të Isak. Drejtuesit e klubit londinez e dinë se çdo lloj marreveshjeje do të kërkonte një shumë financiare më të madhe se ajo që Chelsea pagoi për Moises Caicedo, plot 115 milionë paundë, që është dhe rekordi i klubit.
Isak shënoi 25 gola sezonin e kaluar dhe është një nga lojtarët më të kërkuar në Evropë nga klubet e mëdha. Vlera e tij në merkato është të paktën dyfishi i asaj që Newcastle i pagoi Real Sociedad, në verën e vitit 2022 për të siguruar shërbimet e lojtarit. Asokohe anglezët paguan 63 milionë paundë për suedezin. Në dy sezonet e tij në St James’ Park, Isak ka shënuar 35 gola dhe, ndonëse sezoni i tij i parë u godit nga lëndimi, lojtari e ka siguruar tashmë statusin si një nga sulmuesit më të rrezikshëm në Premier League.
Trajneri i Newcastle, Eddie Howe dëshiron të mbajë në ekip yje si Isak dhe Bruno Guimaraes, por klubi ka pranuar më parë edhe publikisht në media, se çdo lojtar ka çmimin e tij dhe mund të largohet. Ndonëse për Isak është përfolur se lojtari është duke biseduar për një rinovim kontrate me klubin e tij aktual, për momentin asgjë nuk është nënshkruar ende mes palëve.
Chelsea ndërkohë vazhdon të eksplorojë dhe alternativa të tjera për repartin e sulmit. Drejtuesit e klubit kanë folur me Lille në lidhje me kanadezin Jonathan David, me Aston Villa për Jhon Duran dhe me Hoffenheim për Maximilian Beier ndërkohë që Dominic Calvert-Lewin i Everton është më poshtë në listën e prioriteteve. Blutë e Londrës gjithashtu morën një refuzim nga Atletico Madrid, për një ofertë prej 27 milionë paundë për Samuel Omorodion. Chelsea gjithashtu humbi shancin për të afruar në ekip anësorin e Crystal Palace, Michael Olise, i cili duket gjithnjë e më afër Bayern Munich.