Drejtuesit e Fulham janë duke menduar një ofertë të mundshme për sulmuesin shqiptar të Chelsea, Armando Broja. Fulham është i gatshëm të hidhet në sulm në ditën e fundit të merkatos së dimrit, nisur dhe nga dëmtimi i Raul Jimenez. Sulmuesi u dëmtua në barazimin pa gola të Fulham ndaj Everton, dhe tashmë ekipi mund të ketë nevojë për një lojtar të ri në repartin ofensiv, për pjesën e mbetur të sezonit.
Momentalisht shkalla e dëmtimit të Jimenez ende nuk është bërë e ditur. Ndërkohë, trajneri i Fulham, Marco Silva, u shpreh në përfundim të sfidës ndaj Everton se dëmtimi i sulmuesit nuk është një shenjë e mirë.
Broja ishte pjesë e skuadrës së Chelsea në transfertën ndaj Liverpool, por ai gjithsesi mund të largohet, përpara mbylljes së merkatos. Fulham është destinacioni më i mundshëm në këtë moment, teksa Wolves që kishte shprehur interes për shqiptarin, duket se nuk do të bëjë më një tjetër ofertë. Wolverhampton ishte i interesuar për një marrëveshje në formë huazimi, por Chelsea e refuzoi këtë ofertë. Aston Villa dhe West Ham gjithashtu patën shprehur interes për Broja, por nga ana e tyre nuk pritet të ketë surpriza në ditën e fundit të merkatos.
Chelsea kërkon të balancojë situatën financiare me fondet e përfituara nga shitja e Broja, dhe nuk është i interesuar për një marrëveshje huazimi. Megjithatë, sipas të gjitha gjasave duket se shqiptari do të qëndrojë dhe për pjesën e mbetur të sezonit në Stamford Bridge.
Kjo dhe për shkak se një tjetër problem për arritjen e një akordi mes Chelsea dhe Fulham është dhe cmimi që blutë e Londrës kërkojnë për sulmuesin e tyre. Drejtuesit e Chelsea e vlerësojnë kartonin e Broja në shifrat e 50 milionë paundëve, por kjo vlerë mund të bjerë ndjeshëm nëse arrihet një marrëveshje brenda kësaj merkatoje.