Drejtuesit e Liverpool i kanë ofruar Trent Alexander-Arnold një kontratë të re 5 vjeçare, pas përpjekjeve të Real Madrid për të joshur anglezin drejt transferimit në Spanjë. Sipas kontratës së re, Trent do të përfitojë plot 78 milionë paundë në 5 vite. Gjithsesi, mbrojtësin e pret një kontratë e ngjashme në Bernabeu, ku në rast transferimi, anglezi do të përfitojë rreth 300 mijë paundë në javë. Gjithashtu, në rast se lojtari i bashkohet klubit në verë si agjent i lirë, ai do të përfitojë dhe një bonus.
Drejtuesit e Real Madrid ndërkohë janë të gatshëm të hidhen në sulm për Trent Alexander-Arnold që në këtë merkato janari. Spanjollët janë të gatshëm të ofrojnë 20 milionë paundë për kartonin e lojtarit, pavarësisht faktit se mund ta sigurojnë atë me kosto zero në verë, në rast se Arnold vendos të mos rinovojë.
Gjithsesi, vet lojtari nuk preferon të largohet në mes të sezonit, dhe kjo është dhe dëshira e drejtuesëve të Liverpool. Sidomos duke marrë parasysh faktin se klubi është në garë për të triumfuar në të gjitha kompeticionet e mundshme këtë sezon. Arnold ende nuk ka zgjedhur të komentojë mbi të ardhmen e tij, por zëra pranë lojtarit besojnë se ai ka vendosur t’i bashkohet Real Madrid në fund të sezonit.
Drejtuesit e Liverpool ndërkohë kanë më shumë besim tek Salah dhe Van Dijk, përsa i përket rinovimit të kontratave të tyre. Të dy lojtarët kanë një kontratë që skadon në fund të sezonit, por janë të prirur të mirëpresin ofertat për rinovim nga ana e klubit. Përsa i përket Salah, interesi është i madh jo vetëm nga klubet europiane rivale, por dhe nga Arabia Saudite. Egjiptiani e ka bërë të qartë se është i gatshëm të rinovojë, por pret më shumë përpjekje nga ana e klubit.