Drejtuesit e Manchester United janë duke përgatitur një ofertë të re për mbrojtësin e Everton, Jarrad Branthwaite, pas tentativave të mëparshme të pasuksesshme. Kjo erdhi pas dëmtimit të Leny Yoro në ndeshjet para-sezonale. Francezi, i cili u bë pjesë e Manchester United këtë merkato vere, sipas të gjitha gjasave nuk do të luajë deri vitin e ardhshëm, dhe “Djajtë e Kuq” kanë nevojë për më shumë përforcime në repartin difensiv.
Para disa javësh, United bëri një ofertë prej rreth 43 milionë paundësh përfshirë këtu bonuse, për Jarrad Branthwaite. Megjithatë, kjo shifër u refuzua nga Everton, që sipas burimeve pranë klubit, pret të paktën 70 milionë paundë për mbrojtësin e talentuar. Gjithsesi, drejtuesit e klubit mund të pranojnë dhe një ofertë disi më poshtë pritshmërive fillestare, dhe kjo ka bërë që United të hidhet përsëri në sulm.
Në rast se transferimi i anglezit në Old Trafford realizohet, sipas të gjitha gjasave Branthwaite do të sigurojë një vend titullari në ekipin e trajnerit Ten Hag. Sipas burimeve pranë klubit, drejtuesit e “Djajëve të Kuq” mendojnë që Yoro të luajë në qendër të mbrojtjes me Branthwaite, duke formuar kështu një dyshe të fortë rreth të cilës ekipi mund të ndërtohet më tej.
Gjithsesi, ky skenar krijon dhe pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e Harry Maguire, i cili gjithashtu aktivizohet në qendër të mbrojtjes. Anglezi është përfolur disa herë për një largim të mundshëm nga Old Trafford, dhe ishte shumë afër firmosjes me West Ham verën e kaluar. Megjithatë, duke marrë parasysh dhe dëmtimin e Yoro, duket se Maguire do të vazhdojë të jetë pjesë e United. Por duke marrë parasysh situatën aktuale, në momentin që Yoro rikthehet në formën e tij më të mirë, Maguire do ta ketë akoma më të vështirë për të siguruar vendin e titullarit.