Drejtuesit e Manchester United janë të gatshëm të shesin Mason Mount dhe Antony këtë merkato vere. Ky është lajmi që kanë bërë të ditur mediat angleze, teksa trajneri Erik ten Hag po mundohet të krijojë një vizion të qartë për të ardhmen e “Djajëve të Kuq”.
Antony u bë pjesë e Manchester United në verën e vitit 2022, por që prej atij momenti, braziliani ka dështuar të përmbushë pritshmëritë e kërkuara prej tij. Kujtojmë gjithashtu se United pagoi plot 80 milionë paundë për të sjellë anësorin nga Ajax në Old Trafford. Lojtari është aktivizuar në 54 takime në Premier League deri tani, por ka shënuar vetëm 5 gola. Ndërkohë, përsa i përket Mason Mount, anglezi gjithashtu ka dështuar të ketë impaktin e pritur prej tij në Old Trafford. Ish-mesfushori i Chelsea është përballur dhe më dëmtime të njëpasnjëshme, që ia kanë bërë akoma më të vështirë rrugëtimin e tij tek Manchester United.
Tashmë që drejtuesit e United kanë arritur të afrojnë në Manchester Leny Yoro dhe sulmuesin Joshua Zirkzee, duket se hapi i rradhës në merkato është shitja e lojtarëve për të siguruar fonde të nevojshme. Sipas burimeve të afërta pranë klubit, vet trajneri Ten Hag ka dhënë aprovimin e tij para bordi drejtues, për të lënë të lirë Mount dhe Antony, në rast se një ofertë e kënaqshme financiare troket në derë.
Por cilat janë destinacionet e mundshme të Antony dhe Mount, në rast se këta të fundit vendosin të largohen nga Old Trafford? Për Antony, disa klube në Arabinë Saudite thuhet se kanë shprehur interesin e tyre, ndërkohë që për Mount, klubet rivale në Premier League po monitorojnë situatën. Tottenham, Newcastle dhe Aston Villa mund të hidhen në sulm për talentin anglez, por deri më tani, nuk ka ende një ofertë zyrtare.