Drejtuesit e Manchester United duket se janë dorëzuar në ndjekjen e Frenkie de Jong. Mesfushori i Barcelona ka qënë prej kohësh një nga objektivat kryesorë të “Djajëve të Kuq”. Para 2 vitesh, klubi spanjoll ra dakord për të lënë De Jong të lirë, pas ofertës prej 60 milionë paundësh të Manchester United. Megjithatë, ishte vet hollandezi që insistoi të mos largohej. Sipas mediave spanjolle, lojtari gjithashtu pretendoi se klubi po mundohej ta largonte për shkak të pagave të tij të larta.
Duket se e gjithë kjo situatë ka lodhur tashmë drejtuesit e United, që janë duke eksploruar opsione të tjera për mesfushën. Pas refuzimit të De Jong, klubi firmosi me Casemiro por braziliani ka dështuar të përmbushë pritshmëritë e trajnerit Ten Hag. Casemiro ka ende 2 vite kontratë me “Djajtë e Kuq”, por klubi është i gatshëm të shesë lojtarin për të siguruar fondet e nevojshme për prurje të reja në Old Trafford.
Për momentin, objektivi kryesor i United mbetet Manuel Ugarte i PSG. Francezët kërkojnë rreth 51 milionë paundë për mesfushorin e talentuar, por burime pranë klubit besojnë se PSG mund të ulë pritshmëritë financiare për të siguruar një marrëveshje me United. Anglezët gjithashtu mund të shesin Scott McTominay për të siguruar fonde të tjera shtesë për mesfushën. McTominay është përfolur prej kohësh për një largim të mundshëm nga Old Trafford dhe sipas lajmeve të fundit, italianët e Napoli janë të interesuar për të.
Kujtojmë se United ka shpenzuar rreth 140 milionë paundë këtë merkato vere, për të sjellë në Manchester Joshua Zirkzee, Leny Yoro, Matthijis De Ligt dhe Noussair Mazraoui. Mesfusha duket reparti i rradhës që ka nevojë për përmirësime, por drejtuesit e klubit duhet të nxitojnë pasi sezoni i ri i Premier League ka startuar dhe merkatos gjithashtu po i afrohet fundi.