Drejtuesit e Manchester United do të refuzojnë të gjitha ofertat që do të vijnë këtë verë, për shërbimet e kapitenit Bruno Fernandes. Portugezi shihet si një nga lojtarët kyç në projektin afatgjatë të klubit për të ardhmen.
Këtë javë, një lajm i mediave angleze bëri me dije se Bruno Fernandes është nën shënjestrën e gjigandëve të Bayern Munich. Për më shumë, sipas raportimeve, gjermanët kanë besim se mund të sigurojnë firmën e lojtarit, në pragun e sezonit të ri. Në të njejtën kohë, klubet arabe, Al-Nassr dhe Al-Ittihad gjithashtu janë të gatshme për të bërë oferta stratosferike financiare, që të sjellin mesfushorin në kampionatin arab. Sipas burimeve të CaughtOffside, klubet arabe janë të gatshme të paguajnë deri në 100 milionë euro për të siguruar kartonin e Fernandes.
Vet lojtari besohet se është i bindur për vendin e tij tek Manchester United, dhe nuk dëshiron të largohet, të paktën në planin afatgjatë. Kjo ia bën më të lehtë drejtuesëve të klubit që të hedhin poshtë ofertat për Bruno Fernandes. Portugezi ka një kontratë aktive me “Djajtë e Kuq” deri në vitin 2026.
Mesfushori mund të konsiderohet pa frikë një nga transferimet më të mira të klubit angleze në vitet e fundit. Që prej ardhjes së tij në Old Trafford në vitin 2020 Fernandes ka qënë një ndër lojtarët më me influencë në fushën e blertë. Mesfushori është aktivizuar në plot 231 takime, duke shënuar 79 gola si dhe asistuar 65 herë për shokët e tij të skuadrës.
Megjithatë, duke marrë parasysh interesin e madh për kartonin e tij, Manchester United mund të jetë i detyruar t’i ofrojë Bruno Fernandes një paketë më të mirë financiare. Largimi i portugezit nga Old Trafford do të ishte një humbje e madhe për “Djajtë e Kuq”.