Drejtuesit e Newcastle po përgatisin një ofertë financiare për të sjellë talentin e Crystal Palace, Marc Guehi, në St. Mary gjatë merkatos së janarit. Mbrojtësi anglez ka rënë në sy me paraqitjet e tij të mira në Premier League, por dhe në europianin që lamë pas, me kombëtaren angleze. Disa media angleze kanë raportuar se Guehi preferon t’i bashkohet Liverpool, por një transferim tek Newcastle nuk mund të përjashtohet. Sidomos duke marrë parasysh ofertën që klubi është duke përgatitur.
Sipas raportimeve, Newcastle pritet të ofrojë rreth 80 milionë paundë në merkaton e janarit, për të siguruar kartonin e mbrojtësit. Crystal Palace ka refuzuar deri më tani 3 oferta nga ana e Newcastle për Marc Guehi, e fundita në shifrat e rreth 65 milionë paundëve. Kujtojmë se blerja më e shtrenjtë në historinë e Newcastle është ajo e Alexander Isak për shifrën e 63 milionë paundëve nga Real Sociedad. Në rast se Guehi do t’i bashkohej klubit, ai do të bëhej lojtari më i shtrenjtë në historinë e Newcastle.
Ndërkohë, në lidhje me dëshirën e futbollistit për t’iu bashkuar Liverpool, problem është gatishmëria e “The Reds” për të garuar me Newcastle për kartonin e Guehi. Ekipi i Arne Slot gjithashtu është duke monitoruar mbrojtësin, por nuk pritet të bëjë një ofertë në janar. Ndërkohë në fund të sezonit, konkurrenca për asin e Crystal Palace pritet të jetë më e madhe, dhe kjo është një nga arsyet se përse Newcastle do të tentojë të mbyllë një marrëveshje në merkaton e dimrit.
Kujtojmë se Crystal Palace humbi 2 nga lojtarët më të mirë në merkaton e kaluar, Michael Olise i cili iu bashkua Bayern Munich, dhe Joachim Anderson, i cili iu bashkua Fulham. Gjithsesi, Palace ia doli të mbajë me sukses Guehi dhe Eberechi Eze në ekip, të paktën deri tani.