Sipas mediave angleze, West Ham është në bisedime me Al-Ittihad për transferimin e N’Golo Kante. Ekipi londinez duket se është i vendosur për të rikthyer në Premier League mesfushorin e talentuar të Chelsea, i cili u paraqit mjaft mirë me kombëtaren franceze në Euro 2024.
Kujtojmë se Kante është aktivizuar më parë në Premier League me blutë e Chelsea. Francezi vendosi të transferohej në kampionatin arab vitin e kaluar, dhe mendohet se është i lumtur tek Al-Ittihad. Megjithatë, lojtari nuk e përjashton një rikthim të mundshëm në Londër. Duke qënë se Kante e provoi dhe një herë tjetër gjatë europianit, se është ende në gjendje të luajë në nivelet më të larta, West Ham ka vendosur të ndjekë me vëmendje situatën. Klubi londinez do të duhet të paguajë 20 milionë paundë për shërbimet e mesfushorit, një shifër e përballueshme për ta.
Drejtuesit e klubit kërkojnë të gjejnë me patjetër një mesfushor difensiv këtë merkato vere, pasi boshllëku i lënë nga largimi i Declan Rice tek Arsenal nuk u mbush asnjëherë. Klubi afroi Kalvin Phillips në formë huazimi nga Manchester City por anglezi dështoi të përmbushte pritshmëritë e tij dhe West Ham vendosi të mos procedojë me blerjen përfundimtare të kartonit të tij.
Kante duket përforcimi perfekt për londinezët, teksa trajneri i ri i klubit, Julen Lopetegui, thuhet se është prej kohësh një admirues i madh i francezit. Për më shumë, eksperienca e lojtarit në Premier League është një plus mjaft i madh. Kujtojmë se Kante u bë pjesë e Leicester City nga francezët e Caen në vitin 2015. Mesfushori ishte një nga lojtarët kyç në suksesin e jashtëzakonshëm të klubit, që arriti të fitojë Premier League në vitin 2016. Më pas, Kante u transferua tek Chelsea, ku gjithashtu pati një karrierë mjaft të suksesshme duke fituar Champions League, FA Cup si dhe Europa League. Kante gjithashtu ka fituar kupën e botës me Francën në vitin 2018.
Në rast se transferimi i Kante finalizohet, ky do të ishte afrimi i katërt i West Ham për këtë sezon, pas Max Kilman, Luis Guilherme dhe Wes Foderingham.