Dëmtimi i fundit i Dani Carvajal ka shkaktuar një krizë në repartin difensiv tek Real Madrid. Spanjolli do të humbasë pjesën e mbetur të sezonit, dhe duket se klubi do të hidhet në sulm në merkaton e janarit, për të rregulluar problemin e tyre kryesor në ekip. Mediat spanjolle kanë raportuar tashmë se drejtuesit e klubit spanjoll janë duke monitoruar mbrojtësin e talentuar të Liverpool, Trent Alexander-Arnold.
Fillimisht, madrilenët thuhej se do të firmosnin sezonin e ardhshëm me Trent, duke qënë se lojtari do të ishte një agjent i lirë dhe mund t’i bashkohej Real me kosto zero. Megjithatë, situata mjaft e vështirë në mbrojtje ka lënë galaktikët pa zgjidhje, teksa afrimet në janar duken të pashmangshme.
Presidenti i klubit, Florentino Perez, nuk pëlqen të firmosë me lojtarë të rinj gjatë merkatos së dimrit, dhe duhet theksuar fakti se madrilenët nuk kanë shpenzuar për asnjë lojtar në janar, në 6 sezonet e fundit. Këtu përfshihet dhe sezoni i kaluar ku klubi u përball me një situatë të ngjashme në lidhje me dëmtimet.
Liverpool është i prirur të heqë dorë nga Trent Alexander-Arnold, sidomos duke marrë parasysh se mund të humbasë lojtarin me kosto zero në fund të sezonit. Ndërkohë vet mbrojtësi i kombëtares angleze thuhet se është i gatshëm t’i bashkohet Real Madrid. Lojtari do të bashkohet me Jude Bellingham, i cili sipas disa zërave ka qënë gjithashtu faktor në dëshirën e Arnold për të luajtur në Santiago Bernabeu.
Në të njejtën kohë, Real Madrid po mundohet të avancojë transferimin e Alphonso Davies nga Bayern Munich. Davies sipas të gjitha gjasave nuk do të largohet gjatë janarit nga Bayern, por një transferim gjatë verës në Spanjë duket gjithnjë e më afër, duke parë nevojën e galaktikëve për emra që ofrojnë eksperiencë dhe siguri në prapavijë.