Drejtuesit e Real Madrid janë duke monitoruar sulmuesin e talentuar të Aston Villa, Jhon Duran. Kolumbiani ka impresionuar me startin fantastik të këtij sezoni, dhe ishte autori i golit të vetëm në fitoren e Aston Villa përballë Bayern Munich në UEFA Champions League. Real Madrid ka shprehur interes konkret për lojtarin, por një ofertë në merkaton e janarit ka pak gjasa të ndodhë, duke marrë parasysh dhe opsionet e shumta të galaktikëve në sulm.
Duran ka shënuar 1 gol gati çdo ndeshje në Premier League, që prej transferimit të tij nga Chicago Fire në MLS. Këtë sezon sulmuesi ka shënuar 6 gola në 9 paraqitje në të gjitha kompeticionet me Aston Villa. Klubi anglez pagoi vetëm 14.8 milionë paundë për kartonin e lojtarit, dhe Duran ka firmosur me Villa deri në vitin 2028.
Real Madrid ndërkohë ka pasur një start të vështirë sezoni, në bazë të standartit të vet. Madrilenët ndodhen 3 pikë larg Barcelonës në La Liga, dhe paraqitjet e tyre nuk kanë qënë bindëse. Për më shumë, spanjollët u mposhtën nga Lille në transfertë, në sfidën e tyre të dytë për këtë sezon në UEFA Champions League.
Problem kryesor për madrilenët ka qënë mungesa e balancës në sulm, dhe shtimi i një tjetër opsioni në repartin ofensiv është një lëvizje që duhet menduar mjaft mirë përpara se të materializohet. Gjithsesi, edhe nëse Los Blancos vendosin të hidhen në sulm për Jhon Duran, Aston Villa do të bëjë të pamundurën që të ndalojë sulmuesin për t’u larguar. Klubi anglez ndodhet në një pozitë të mirë pasi lojtari sapo ka startuar kontratën e tij, si dhe mund t’i ofrojë Duran mundësinë për të luajtur në UEFA Champions League. Edhe nëse Villa vendos të shesë lojtarin, klubi do të kërkojë të paktën 50 milionë paundë për shërbimet e tij.