Ashtu siç pritej, Real Madrid ka zyrtarizuar afrimin e Jude Bellingham nga Borussia Dortmund. Talenti i kombëtares angleze do të firmosë një kontratë 6 vjeçare me Real Madrid, dhe këta të fundit do t’i paguajnë Dortmund plot 103 milionë euro për kartonin e lojtarit. Përveç shumës bazë, marrëveshja përfshin dhe shtesa, të cilat mund ta çojnë totalin e transferimit deri në 134 milionë euro.
Bellingham, i cili startoi karrierën e tij tek Birmingham City, do të prezantohet përpara fansave të Real Madrid ditën e nesërme. Lojtari ndërkohë u shpreh mirënjohës për vitet e tij tek Dortmund, në një postim në rrjetet sociale:
“Falenderoj të gjithë tek Borussia Dortmund, për gjithçka që kanë bërë pr mua këto 3 vite. Ka qënë një nder të vesh fanellën tuaj kaq shumë herë, në momente të vogla dhe të mëdha. Edhe pse jam gati për destinacionin tim të rradhës, nuk do ta harroj kurrë udhëtimin këtu…Ju uroj gjithë të mirat për të ardhmen.”
Jude Bellingham do të jetë pjesë e kombëtares angleze në ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 përballë Maqedonisë së Veriut dhe Maltës. Megjithatë, anglezi nuk pritet të aktivizohet në këto ndeshje për shkak të një dëmtimi në gju. Momentalisht lojtari po vijon procesin e rehabilitimit në Angli, teksa rikuperohet nga dëmtimi që e la jashtë ndeshjes së fundit të Dortmund në kampionat për këtë sezon.
Drejtori ekzekutiv i klubit gjerman, Hans-Joachim Watzke, gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij për Bellingham dhe kontributin e tij tek ekipi:
“Falenderojmë Jude për 3 vite plot pasion për Borussia Dortmund. Ishte një kohë fantastike së bashku. Gjithashtu duam të falenderojmë Real Madrid për të qënit gjithmonë të drejtë dhe konstruktivë gjatë bisedimeve.”
Bellingham pritet të luajë si titullar në sezonin e ardhshëm me Real Madrid, teksa koha për veteranët Modric dhe Kroos pritet të jetë më e kufizuar.