Sipas mediave angleze, drejtuesit e Real Madrid po mbajnë në monitorim asin e Liverpool, Trent Alexander-Arnold. Anglezi ka vetëm 1 vit kontratë të mbetur në Anfield, dhe ky mund të jetë sezoni i tij i fundit tek Liverpool. Për momentin Los Blancos ende nuk kanë bërë një ofertë konkrete për Trent, teksa drejtuesit e klubit po mundohen të shfrytëzojnë momentin delikat mes lojtarit dhe klubit.
Mbrojtësi angleze ende nuk ka diskutuar për një rinovim të mundshëm me Liverpool, dhe kjo shton akoma më shumë presionin tek “The Reds”, të cilët rrezikojnë të humbasin lojtarin me kosto zero nëse ai nuk rinovon. Shoku i skuadrës i Trent tek kombëtarja angleze, Jude Bellingham thuhet se po luan një rol të rëndësishëm për t’i mbushur mendjen Arnold që të bashkohet me të tek Real.
Jude Bellingham fitoi La Liga dhe Champions League në sezonin e tij të parë në Santiago Bernabeu, duke debutuar në mënyrën më të mirë për Los Blancos dhe duke u kthyer shumë shpejt në një prej lojtarëve kyç në Bernabeu. Klubi madrilen prezantoi Kylian Mbappe si lojtarin më të ri të skuadrës, dhe duket se presidenti Perez nuk ka ndërmend të ndalet së transferuari superstarë të tjerë në Madrid.
Përveç Trent Alexander-Arnold, shumë emra të tjerë mund të largohen nga Anfield në prag të sezonit të ri. Salah dhe Van Dijk gjithashtu janë përmendur për një largim të mundshëm, teksa të dy lojtarët njësoj si dhe Arnold janë në vitet e fundit të kontratës së tyre me klubin. Situata duket ende shumë e paqartë tek Liverpool, që prej largimit të trajnerit Klopp. “The Reds” nuk kanë prezantuar ende afrime të reja për sezonin e ri, ndërkohë që Adrian dhe Joel Matip janë larguar. Thiago Alcantara ndërkohë është bërë pjesë e stafit stërvitor tek Barcelona, si ndihmës i trajnerit gjerman, Hansi Flick.