Pavarësisht se sezoni i ri sapo ka startuar, drejtuesit e Real Madrid janë duke menduar në planin afatgjatë për të ardhmen e klubit. Prestigjozja spanjolle AS ka publikuar lajmin se madrilenët janë në ndjekje të yllit të Manchester City, Rodrigo. Sipas mediave spanjolle, Real do të hidhet në sulm për mesfushorin spanjoll në fund të këtij sezoni.
Rodrigo ka një kontratë aktive me Manchester City deri në vitin 2027, por mund të largohet në rast se i ofrohet një marrëveshje me Real Madrid. Që prej largimit të Toni Kroos, klubi spanjoll është vënë në kërkim të një lojtari me të njejtat atribute në mesfushë që mund të zëvëndësojë gjermanin. Ndeshjet e para në La Liga për këtë sezon kanë dëshmuar mes të tjerash, dhe një vështirësi të madrilenëve për të krijuar raste për shënim dhe për të qënë kreativë në fazën sulmuese.
Agjenti i Rodrigo, Pablo Barquero, ka një marrëdhënie mjaft të mirë me hierarkinë drejtuese të Real Madrid, dhe kjo është një tjetër arsye se përse mesfushori spanjoll nuk ka firmosur ende një rinovim me Manchester City. Sipas burimeve pranë lojtarit, Rodrigo do të largohet nga “qytetarët” vetëm në rast të një transferimi në Santiago Bernabeu.
Sipas Transfermarket, kartoni i Rodrigo vlerësohet në shifrat e 130 milionë eurove. Gjithsesi, Real Madrid ka buxhetin e duhur për të realizuar lëvizjen. Kujtojmë se klubi spanjoll pagoi 103 milionë euro për të sjellë Jude Bellingham nga Borussia Dortmund një sezon më parë. Real është gjithashtu i avantazhuar nga një largim i mundshëm i trajnerit Pep Guardiola sezonin e ardhshëm. Largimi i teknikut spanjoll nga City mund të shoqërohet me një lëvizje masive dhe nga ana e lojtarëve. Gjithsesi, asgjë nuk është ende konkrete dhe Real pritet të lëvizë për Rodrigo vetëm në fund të këtij sezoni të ri.