PSV Eindhoven ka konfirmuar marrëveshjen e arritur me Liverpool, për transferimin e sulmuesit Cody Gakpo në Anfield. Lajmet mbi lëvizjen kishin filluar të qarkullonin ditën e djeshme, dhe sot ka ardhur dhe zyrtarizimi nga ana e klubeve. Gakpo ka impresionuar me formën e tij këtë sezon në kampionat, por dhe në Kupën e Botës. Lojtari shënoi 3 gola në Katar duke ndihmuar Hollandën në udhëtimin e saj deri në çerekfinale.
Liverpool pritet të paguajë 40-50 milionë euro për shërbimet e sulmuesit, teksa shifra ekzakte nuk është bërë ende e ditur. Gakpo pritet të udhëtojë drejt Anglisë në ditët në vijim për të kompletuar vizitat mjekësore. Transferimi është një lëvizje mjaft e rëndësishme për Liverpool, teksa trajneri Klopp po përballet me mungesën e Luis Diaz dhe Diogo Jota në sulm, për shkak të dëmtimeve.
Lëvizja është në të njejtën kohë një tjetër goditje për Manchester United, që ka shfaqur interes dhe është linkuar vazhdimisht me emrin e Gakpo. Ky i fundit ka shënuar 9 gola dhe 12 asiste në 14 ndeshje deri më tani me PSV në kampionat. Hollandezi ka performuar mjaft mirë dhe në Europa League, ku ia ka dalë të regjistrojë 3 gola dhe 2 asiste në 5 sfida.
Trajneri i Hollandës, Louis van Gaal u shpreh për Gakpo gjatë Kupës së Botës:
“Gakpo ka gjithçka që duhet për t’u kthyer në një yll…”
Asokohe, mbrojtësi i Liverpool dhe njëkohësisht shoku i tij tek kombëtarja hollandeze, Van Dijk, gjithashtu shprehu fjalë të mira për sulmuesin. Në orët e fundit, shumë komentues në rrjetet sociale kanë aluduar se Van Dijk mund të ketë luajtur rolin e negociatorit në këtë transferim, duke i mbushur mendjen Gakpo që të zgjedhë Liverpool.
Tani, mbetet për t’u parë sesi talenti hollandez do të adaptohet në modulin e lojës së trajnerit Jurgen Klopp.